Protestë pas proteste për çlirimtarët

LIVE

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Nasim Haradinaj ka kundërshtuar pretendimet sipas të cilave procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është individual dhe nuk prek luftën çlirimtare të Kosovës.

“Nuk mund të na mashtroni se janë raste individuale”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk pranon që të ofendohen viktimat e luftës dhe sakrifica e familjeve shqiptare.

“Nuk pranojmë të ofendohen 400 e kusur masakra. Nuk pranojmë të ofendohen fëmijët tanë. Nuk pranojmë të dënohet gjaku ynë”, ka shtuar Haradinaj.

Në fund, ai ka bërë thirrje për bashkim rreth UÇK-së.

“Ju 100 deputetë që jeni atje, të 100-it, secili me përgjegjësinë e vet dhe peshën që e ka kërkuar vetë, ju thërrasim për bashkim, bashkim, bashkim”, ka deklaruar Haradinaj.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Mavraj në protestë: Si më 1 tetor ’97, edhe sot duhet të dalim mbi dallimet

Gazetari Muhamet Mavraj, njëri prej organizatorëve të demonstratave studentore të 1 tetorit 1997, ka dalë sot para qytetarëve të mbledhur në sheshet e Prishtinës për të kundërshtuar aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke iu referuar demonstratave të para të mëdha studentore para luftës, Mavraj tha se edhe sot qytetarët duhet të bashkohen përtej dallimeve politike e fetare.

“Më 1 nëntor 1997, i tërë kombi, të gjitha rrymat, të majtë e të djathtë, dashamirë e jo dashamirë, mësues, arsimtarë, profesorë e dekanë, mbarë popullin e bëmë bashkë sepse dolëm mbi dallimet tona”, tha Mavraj.

Ai theksoi se bashkimi i shqiptarëve, sipas tij, është i nevojshëm sa herë që vendi përballet me rrezik.

“Po kështu, sa herë që është kombi në rrezik, do të dalim përmbi fe e përmbi parti, sepse më të parën parti e kemi Shqiptarinë dhe më të parën fe e kemi Shqiptarinë”.

Sipas tij, pa arsimin shqip dhe pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Kosova nuk do të ishte bërë shtet.

“Pa arsimin shqiptar dhe pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kurrë s’do të bëheshim shtet”.

Duke kujtuar demonstratat e 1 tetorit 1997, Mavraj deklaroi se atë ditë, sipas tij, “një milion shqiptarë” ishin në këmbë.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka përmendur dënimet që janë shqiptuar në shkallë të parë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së që nga përfundimi i luftës, duke thënë se totali ka shkuar në mbi 600 vjet burgim.

Ai ka përmendur disa prej rasteve:

Grupi i Dukagjinit – Daut Haradinaj me shokë, gjithsej 31 vjet burgim;

Grupi i Llapit – Rrustem Mustafa me shokë, gjithsej 45 vjet burgim;

Rasti Kiqina – gjithsej 185  vjet burgim;

Tribunali i Hagës – Fatmir Limaj me shokë, gjithsej 13 vjet burgim;

Grupi Drenica – Sulejman Selimi dhe Sami Lushtaku me shokë, gjithsej 71 vjet burgim;

Grupi i Kaçanikut – Ejup Runjeva me shokë, gjithsej 20 vjet burgim;

Grupi i Gjilanit – gjithsej 116 vjet burgim;

Pra, sipas tij, mbi 500 vjet burgim për pjesëtarë të UÇK-së.

E dënimi i katër ish-krerëve të UÇK-së e ka çuar në mbi 600 numrin e viteve burgim për ata që luftuan kundër Serbisë dhe çliruan Kosovën.

“Edhe ne jemi anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale nga 16 shtatori – prej një gjykate që nuk e di çka ka ndodhur këtu në vitin 98-99, turpi i mbuloftë kudo që janë ata… Nga ky shesh ju themi [përfaqësueve të drejtësisë ndërkombëtare]: hiqeni këtë njollë prej jush dhe prej nesh”.

Redaksia
Albanian PostRedaksia

Tasholli: UÇK-ja nuk ka parti politike, as liria nuk ka parti

Përfaqësuesi i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se tubimi ishte organizuar për të dërguar një mesazh në mbështetje të vlerave të luftës së UÇK-së dhe për të kërkuar, siç u shpreh ai, “drejtësi të barabartë”.

“Jemi mbledhur këtu me një sebep të madh. Jemi mbledhur këtu për UÇK-në. Jemi bërë bashkë për të çuar një mesazh shumë të rëndësishëm. Nuk jemi bërë bashkë për shkak të partive politike; sot jemi bërë bashkë për ju, sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, tha Tasholli.

Ai theksoi se liria e Kosovës është ndërtuar mbi kontributin e shumë brezave, duke e cilësuar UÇK-në si pjesë qendrore të këtij procesi.

“Secili brez ka dhënë djersën e vet. Themeli i lirisë është ngritur nga shumë gjenerata, ndërsa UÇK-ja është boshti kurrizor i saj. Nëse UÇK-ja sulmohet në mënyrën se si po na servohet sot drejtësia, atëherë kemi arsye të madhe të kërkojmë drejtësi të barabartë, të drejtë dhe në përputhje me vlerat që Bashkimi Evropian na ka mësuar ndër vite”.

Tasholli komentoi edhe vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke thënë se qytetarët e Kosovës besojnë në vlerat evropiane, por jo në standarde të dyfishta në çështjet e drejtësisë.

“Ne i themi se besojmë në vlerat e Evropës, por nuk besojmë në standarde të dyfishta kur flitet për drejtësi. I themi: ‘Jo në emrin tonë’”.